Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për dhunim masiv të procesit zgjedhor dhe ka paralajmëruar se provat e grumbulluara do t’i dorëzohen organizatave ndërkombëtare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha dënoi ashpër atë që e quajti “terror policor ndaj komisionerëve dhe numëruesve”, ndërsa kërkoi lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina.
“Ngjarja ndaj Tollozhinës është një kurth i organizuar nga policia. Ai mbahet në burg vetëm sepse ka qëndruar dhe ka mbrojtur votën e lirë,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike disponon filmime dhe dokumente që provojnë dhunimin e zgjedhjeve, të cilat do të përdoren për të informuar partnerët ndërkombëtarë mbi situatën.
“Demokratët janë terrorizuar, por do të vazhdojmë këtë mision si misionin më të rëndësishëm të opozitës – rikthimin e votës së lirë. Asgjë nuk do mund të fshehë shëmtinë e kësaj farse zgjedhore,” shtoi Berisha.
Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të mohuar realitetin do të rezultojë e dështuar, pasi opozita do të faktojë para opinionit vendas dhe ndërkombëtar të gjitha parregullsitë e pretenduara.

