Berisha: Zgjedhjet u deformuan, por detyra jonë është të numërojmë çdo votë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, akuzoi mazhorancën për manipulim të thellë të procesit zgjedhor, duke theksuar se opozita do të vijojë me përkushtim numërimin e çdo vote deri në fund.
“PD u ka treguar shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Këto nuk janë thjesht konkluzione politike, por të bazuara dhe tashmë të certifikuara nga forume ndërkombëtare,” tha Berisha.
Ai përmendi një sërë shkeljesh, si: kultivimi i kanabisit për qëllime elektorale, punësime masive me qëllim blerje vote, falje të gjobave për qytetarët pak ditë para zgjedhjeve, dhe prani të patronazhistëve pranë qendrave të votimit.
“Ka kritere për zgjedhjet dhe ato janë shkelur në mënyrë të pamëshirshme. Edhe njëherë, askush nuk mund të bëjë sikur këto nuk kanë ndodhur,” u shpreh Berisha, duke theksuar se PD do të bëjë vlerësimin e plotë të procesit pas përfundimit të numërimit.
“Detyra jonë është të numërojmë çdo votë, me përgjegjësi ndaj qytetarëve që kanë besuar tek ne,” përfundoi ai.

