Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë që i është vendosur.
Pas daljes nga SPAK, Berisha u shpreh për mediat duke akuzuar drejtpërdrejt kreun e këtij institucioni, Altin Dumani, për lidhje me grupe kriminale. Ai theksoi se Dumani dhe disa bashkëpunëtorë të tij bëjnë pazare me qeverinë dhe krimin në mënyrë të vazhdueshme.
Gjithashtu, Berisha sulmoi edhe gjyqtaren Irena Gjoka, të cilën e akuzoi për manipulim në lidhje me një kontratë që ajo ka paraqitur si provë. Sipas tij, kontrata në fjalë është e firmosur në vitin 1996, por lidhet me një Kod Civil të miratuar në vitin 2015 dhe është pa vulë noteri, çka e bën atë të pavlefshme.
“Këta janë shërbëtorë që nuk kanë as ligj e as moral, – tha Berisha, – nuk po flas për të gjithë, por për Dumani dhe disa të tjerë që bëjnë pazare me Ramën dhe krimin çdo ditë. Në lidhje me Irena Gjokën, ajo ka paraqitur një kontratë me 5 mbiemra, të firmosur në vitin 1996 dhe lidhur sipas Kodit Civil të vitit 2015, por që është pa noter. Ky dokument është pranuar nga SPAK,” deklaroi Berisha.