Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste më 16 qershor, në bulevardin “Zogu i Parë”, duke e përkufizuar këtë tubim si një reagim ndaj asaj që e cilëson si “krim elektoral” të mazhorancës. Protesta do të zhvillohet në të njëjtën ditë me Samitin e Komunitetit Politik Europian që mbahet në Tiranë.
Berisha akuzoi qeverinë për manipulime masive të votave, veçanërisht në votat nga diaspora, të cilat sipas tij janë shtuar në mënyrë të dyshimtë pas vizitës së ministrit Balla në Greqi. Ai solli si shembull rezultatin e kutisë së Beratit ku, sipas tij, Partia Socialiste rezultonte me 99.6% të votave – një situatë që e krahasoi me Korenë e Veriut.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet më 16 qershor, në orën 17:00. Në mënyrë paqësore, do të sensibilizojmë opinionin vendas dhe ndërkombëtar për krimet elektorale që po ndodhin”, deklaroi Berisha.
Ai u bëri thirrje komisionerëve të opozitës të regjistrojnë çdo parregullsi gjatë numërimit dhe të mbrojnë çdo votë që ka ardhur në kushte të vështira.
Sipas Berishës, protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ndikojë në zhvillimin e samitit, por synon t’u japë mesazh të qartë ndërkombëtarëve për gjendjen e demokracisë në vend.

