Berisha: Ilir Metës po i bëhet lufta më e egër nga Edi Rama – Mbajtja në burg është terror politik
TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me moslejimin e Ilir Metës për të marrë pjesë në seancat parlamentare, duke e cilësuar këtë një goditje të rëndë politike ndaj kreut të Partisë së Lirisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Ilir Meta po mbahet padrejtësisht në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për një sulm të paprecedentë ndaj kundërshtarëve politikë.
“Ilir Metës i bëhet lufta më e egër që i është bërë ndonjëherë ndonjë njeriu nga armiku i votës së lirë, Edi Rama. Ta mbash në burg për të fituar është terror politik,” deklaroi Berisha.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024, për një sërë akuzash të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave.