Cristiano Ronaldo nuk është vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, por edhe një model i përkushtimit absolut ndaj kujdesit për trupin dhe shëndetin. Këtë herë, ai ka tërhequr vëmendjen me një detaj jo fort të zakonshëm: portugezi lyen thonjtë e këmbëve me ngjyrë të zezë.
Në pamje të parë mund të duket si zgjedhje estetike, por sipas të përditshmes gjermane BILD, kjo praktikë ka një arsye krejtësisht funksionale. Ronaldo e aplikon këtë zakon për të mbrojtur thonjtë nga infeksionet bakteriale dhe kërpudhore, të cilat mund të zhvillohen për shkak të djersës në atlete.
Ky nuk është një zakon vetëm i Ronaldos – edhe sportistë të tjerë të disiplinave intensive si boksierë, luftëtarë MMA apo atletë përdorin të njëjtën metodë. Ndër ta përmenden emra si Mike Tyson dhe Israel Adesanya, që kanë ndjekur të njëjtën rutinë për arsye higjienike dhe mbrojtjeje.
Ronaldo është i njohur për regjimin e tij strikt të kujdesit personal. Ai përdor pajisje të teknologjisë së lartë si “Oura Ring”, një unazë inteligjente që monitoron parametrat jetësorë si gjumi, ritmi i zemrës, temperatura e trupit dhe aktiviteti fizik. Gjumi i tij ndahet në disa cikle të shkurtra gjatë ditës – deri në pesë herë në 24 orë – një rutinë që e ndihmon të mbajë trupin në formë optimale.
Ndërkohë, edhe në fushë Ronaldo nuk ndalet. Ai ka qenë vendimtar në fitoren e Ligës së Kombeve të UEFA-s, ku Portugalia triumfoi ndaj Spanjës në një finale dramatike. Me golin e radhës, ai e çoi në 938 numrin e përgjithshëm të golave në karrierë.
Pas ndeshjes, Ronaldo konfirmoi se do të vazhdojë me Al-Nassr, duke deklaruar shkurt: “Po. Praktikisht, asgjë nuk ndryshon.”
Në stilin e tij të zakonshëm – gjithmonë i përgatitur, gjithmonë në kontroll, kampioni portugez dëshmon edhe një herë se asgjë nuk i lihet rastësisë, madje as thonjtë e këmbëve.

