Juliana Nura ka reaguar për herë të parë pas zhurmës që u krijua në rrjet lidhur me mënyrën se si ajo kishte siguruar bileta për ndeshjen e tensionuar Shqipëri–Serbi. E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ajo sqaroi se biletat i kishte marrë si në mënyrë online, ashtu edhe përmes kontakteve të saj në rrethin e personave që punojnë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Kam bërë një telefonatë, sepse njerëzit e Armandos (Dukës) ne i njohim. Gjysmën e biletave i mora online për tifozerinë kuqezi dhe për Plisat, që të mos kishte rrëmujë, sepse dihet si është atmosfera kur luhet me Serbinë,” – u shpreh ajo.
Reagimi i saj vjen pasi presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se nuk e njeh Julianën, një deklaratë që ka shkaktuar debat dhe habi në opinionin publik. Megjithatë, Juliana theksoi se nuk ka pasur asnjë raport personal me Dukën përtej ndonjë përshëndetje të rastësishme në ambientet e stadiumit.
“E kam parë disa herë në ‘Air Albania’, i kam dhënë dorën, por kaq. Nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të afërt,” tha ajo.
Sa i përket deklaratës së Dukës se nuk e njeh, Juliana u tregua e përmbajtur në koment, por theksoi se duket sikur stadiumi dhe Kombëtarja po trajtohen si një biznes privat:
“Unë e kuptoj sikur ‘Air Albania’ është privatizuar prej tij. Nuk do që të thotë që më ka dhënë bileta, sepse ndoshta nuk do të dëmtojë imazhin e vet,” u shpreh ajo.
Në fund, Juliana ngriti zërin edhe për atë që e konsideron si padrejtësi ndaj tifozerisë shqiptare:
“Nuk është e drejtë që tifozët kuqezi dhe Plisat të mbeten jashtë stadiumit. Ata e meritojnë të jenë brenda,” përfundoi ajo.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur ndarja e biletave për ndeshjet e Kombëtares është vënë nën lupën e publikut dhe mediave, për shkak të mungesës së transparencës dhe privilegjeve për disa figura publike.