Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë me “garanci pasurore”.
Me këtë vendim, Apeli ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur më 23 prill nga gjyqtari Erion Bani, pas shqyrtimit të raportit periodik të SPAK mbi ecurinë e hetimeve.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Ermir Beta. Ky i fundit argumentoi se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, por kërkesa e tij nuk u pranua. Paralelisht, çështja është ankimuar edhe në Gjykatën e Lartë, ku ende nuk është caktuar trupa gjykuese apo data e shqyrtimit.
Akuzat dhe hetimet
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt në ambientet e Bashkisë së Tiranës, nën akuzat për:
- Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë publikë ose të zgjedhur vendorë, në bashkëpunim, në 9 raste;
- Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
- Mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave private.
Ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet paraprake tregojnë se Veliaj ka ngritur dhe drejtuar një mekanizëm të strukturuar, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Kjo skemë, sipas SPAK, synonte pasurimin personal dhe familjar përmes veprimeve të kundërligjshme dhe të maskuara.
Hetimet vijojnë në funksion të zbardhjes së plotë të çështjes dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve në këtë skemë të dyshuar korrupsioni.