Në kuadër të Javës Kulturore Europiane dhe nën moton “Të bashkuar në diversitet”, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, foli në një intervistë për A2 CNN duke bërë të ditur hapur prirjen e tij seksuale.
Gonzato shpjegoi projektet kulturore që po zhvillohen në Tiranë, në rrethe dhe në Pilur të Vlorës, përfshirë ekspozitën fotografike të Blerta Kambos me temë dashurinë, ku portretizohen forma të ndryshme të dashurisë, jo vetëm ajo mes një mashkulli dhe një femre. Ambasadori theksoi sfidat dhe rezistencën ndaj kësaj teme në Shqipëri, ku u shpreh se duhet të ndryshojë mentaliteti dhe të pranohet diversiteti në shoqëri.
“Tema kryesore është krijimi i hapësirave ku njerëzit mund të shprehin lirshëm vizionin e tyre për BE-në,” tha Gonzato, duke shtuar se kultura është një mjet i fuqishëm për tejkalimin e barrierave.
Duke folur për deklaratën e tij publike mbi homoseksualitetin, Gonzato rrëfeu vështirësitë që sjell ekspozimi i hapur, por edhe rëndësinë e sinqeritetit. Ai tha se orientimi i tij seksual nuk përbën kërcënim dhe se ndjenjat e tij janë të njëjta me të tjerët, duke nënvizuar idenë e diversitetit dhe përbashkësisë njerëzore.
Ambasadori rrëfeu gjithashtu se ishte martuar më parë me një grua dhe më pas me një burrë, duke treguar se problemet dhe sfidat janë të ngjashme pavarësisht orientimit seksual.