Sipas burimeve të mediave britanike dhe amerikane, përfshirë Daily Telegraph, Radar Online dhe Perez Hilton, Mbretit Charles III i është diagnostikuar me një formë të pashërueshme të kancerit. Këto raportime mbështeten në informacione pranë mjekëve që po ndjekin trajtimin e monarkut dhe duket se konfirmojnë komentet e fundit të Princit Harry, i cili kishte shprehur shqetësimin për shëndetin e të atit, duke thënë për BBC: “Pyes veten sa kohë i ka mbetur”.
Pavarësisht diagnozës, Mbreti Charles nuk ka ndërmend të tërhiqet nga detyrat mbretërore. Ai pritet të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale Trooping the Colour më 14 qershor, duke dhënë një sinjal që mbretëria po vijon normalisht pavarësisht sfidave shëndetësore.
Sipas mediave britanike, megjithëse sëmundja nuk është e shërueshme, mjekët kanë theksuar se “sovrani nuk do të vdesë nga kanceri, por me kancer” — një mënyrë për të treguar se për momentin ai e ka sëmundjen nën kontroll. The Irish Star citon burime që thonë se Mbreti e konsideron veten “në anën tjetër” të krizës së sëmundjes, ndërsa trajtimet po japin efekt të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, Princ William dhe Princesha Kate po shtojnë daljet publike dhe rolin e tyre në përfaqësimin e kurorës, duke u përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm në të ardhmen.
Diagnoza e Mbretit u bë publike në fillim të vitit 2024, pasi u zbulua gjatë një ndërhyrjeje për prostatën. Megjithëse në fillim situata u paraqit si e menaxhueshme, efekti i trajtimeve bëri që ai të reduktonte përkohësisht daljet publike në mars.
Pallati Buckingham vazhdon të mbajë një ton pozitiv dhe të kujdesshëm në komunikimet zyrtare, duke theksuar përparimin në trajtim dhe përkushtimin e Mbretit për të vijuar detyrën e tij si sovran.