Adelina Ismaili, një prej emrave më të fuqishëm të skenës shqiptare, ka paralajmëruar zyrtarisht rikthimin e saj artistik, këtë herë me katër projekte muzikore të reja, në kuadër të 40-vjetorit të karrierës. Njoftimi u bë në një intervistë ekskluzive për emisionin “Radar” në RTV Dukagjini, ku diva e muzikës tregoi se është gati të hapë një kapitull të ri në rrugëtimin e saj të gjatë dhe shpeshherë kontrovers.
Një pjesë e veçantë e intervistës ishte ndërveprimi me publikun. Dëgjuesit patën mundësinë të telefononin drejtpërdrejt në studio dhe të bëjnë pyetje për këngëtaren, por njëra prej tyre tërhoqi veçanërisht vëmendjen. Një dëgjues e pyeti Adelinën për raportin e saj aktual me Leonora Jakupin – një temë e njohur për ata që ndjekin nga afër historinë e muzikës shqiptare.
E kapur disi në befasi, Adelina u përgjigj me humor dhe diplomaci:
“Këtë pyetje duhet ta bësh tjetërkund, jo te unë.”
Kaq mjaftoi për të ndezur sërish kujtesën kolektive për një nga përplasjet më të bujshme të estradës shqiptare – zënkën fizike mes Adelinës dhe Leonorës në fillim të viteve 2000, që përfundoi në gjykatë dhe mbetet ende një nga episodet më të komentuara në showbizin shqiptar.
Megjithatë, duket se Adelina nuk është e interesuar të kthehet pas në kohë, por të fokusohet në të tashmen artistike. Me katër projekte në horizont, këngëtarja është gati të rikthehet fuqishëm në skenë, duke dëshmuar se mbretëresha e pop-it shqiptar nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.

