Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, në kuadër të dosjes së njohur si “Sterilizimi”.
Sot SPAK shpalli pretencën për të dy të pandehurit, ku në bazë të gjykimit të shkurtuar, u caktua dënimi prej 6 vitesh e 8 muaj burg.
Ata akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi se Prokuroria ka kërkuar gjithashtu dënime për ish-funksionarët Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini, secili me nga 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa për disa prej tyre parashikohet konvertimi në shërbim prove.
Për Arben Gjatën është kërkuar 1 vit e 4 muaj burg, e cila nëse aprovohet, do të konvertohet në 3 vite shërbim prove, ndërsa Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi përfitojnë gjithashtu konvertim në shërbim prove për periudha 2-vjeçare.
Në këtë dosje vazhdon hetimi edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe po ndiqet në një proces të veçantë.

