Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 3”, Liam Mandiaro, ka hedhur akuza të forta ndaj produksionit të reality show-t në një intervistë për “Kosova Live”, duke aluduar për favorizime të dukshme ndaj fitueses së edicionit, Egla Ceno.
“Fituesja ka pasur telefon në dhomën e rrëfimit dhe fliste me familjen,” u shpreh Liami, duke shtuar se një privilegj i tillë përbën avantazh të padrejtë krahasuar me banorët e tjerë, të cilët ishin të izoluar pa asnjë kontakt me jashtë.
Ai vijoi me pretendime të tjera, duke treguar se brenda dhomës së rrëfimit kishte parë tabela me udhëzime dhe orientime, të cilat, sipas tij, nuk ishin të destinuara për të. Liami e mbylli deklaratën me një kritikë të hapur për mungesë transparence, duke thënë se “favorizimet kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final”.
Kujtojmë se Egla Ceno u shpall fituese e “BBVA 3”, ndërsa deklaratat e Liamit pritet të nxisin reagime në opinionin publik dhe në rrjetet sociale.

