Tiranë – Drejtori i Tirana International Hotel & Conference Centre, z. Ram Geci, përballet me akuza të reja serioze që përforcojnë shqetësimet mbi keqmenaxhimin dhe abuzimet e vazhdueshme me të drejtat e punonjësve.
Sipas informacioneve të siguruara nga brenda institucionit, një praktikë e rrezikshme financiare është kthyer në normë: punonjësve u paguhet një pjesë e pagës në mënyrë zyrtare, përmes llogarive bankare, ndërsa pjesa tjetër u dorëzohet në të zezë, në zarf, pa asnjë dokumentim ligjor.

Kjo metodë jo vetëm që përbën shkelje të rëndë të ligjit shqiptar të punës, por është një formë e pastër evazioni fiskal, që dëmton si punonjësit ashtu edhe shtetin.
Për më tepër, një numër i konsiderueshëm punonjësish rezultojnë të pasiguruar, ose të siguruar mbi paga minimale të papërputhshme me detyrat reale që kryejnë, duke i lënë pa mbrojtje në rast sëmundjeje, aksidenti apo pensioni.
“Na jep një pjesë në bankë për të pasur ‘letrat në rregull’, ndërsa pjesën tjetër e marrim në dorë me zarf. Asnjë faturë, asnjë provë. Po flasim për një hotel që ndodhet në qendër të Tiranës, jo në ndonjë skaj të vendit,” – deklaron një punonjës aktual, nën kushtin e anonimitetit.
Ky model pagese jo vetëm që ul ndjeshëm të ardhurat e deklaruara të punonjësve dhe u kufizon të drejtat e tyre ligjore, por përfaqëson edhe shkelje penale, për të cilat kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga inspektorati i punës, tatimet dhe organet e drejtësisë.
Në një kohë kur pritet që institucionet elitare të vendit të jenë shembull i zbatimit të ligjit dhe etikës profesionale, rasti i Tirana International Hotel hedh një hije të rëndë mbi standardet reale të punës dhe mënyrën se si drejtohen burimet njerëzore.

