Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, është pranë një tjetër kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij. Sipas mediave sportive japoneze, 30-vjeçari pritet të largohet këtë verë nga klubi korean Gwangju FC, për t’iu bashkuar ekipit të njohur të Yokohama F. Marinos në kampionatin elitar të Japonisë.
Gjatë dy sezoneve në Korenë e Jugut, Asani ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij, duke regjistruar 74 ndeshje, 23 gola dhe 4 asistime me fanellën e Gwangju. Tashmë, ai synon të spikasë në një tjetër kampionat aziatik, duke parë Japoninë si një mundësi të re për të avancuar profesionalisht dhe për të rikthyer vendin e tij si titullar në përfaqësuesen kuqezi.
Kalimi i mundshëm në Japoni shihet si një hap pozitiv për të rifituar edhe besimin e trajnerit Sylvinho, sidomos në prag të sfidave të rëndësishme që presin Kombëtaren.
Në vëmendje edhe për jetën private
Përveç zhvillimeve në karrierë, Asani ka qenë në qendër të mediave edhe për jetën e tij personale. Në prill të këtij viti, në rrjetet sociale qarkulluan aludime për një ndarje nga partnerja e tij, Giota, pasi ndjekësit vunë re se çifti nuk e ndiqte më njëri-tjetrin në Instagram dhe kishin fshirë fotot e përbashkëta. Deri më sot, nuk ka asnjë konfirmim apo mohim zyrtar nga asnjëri prej tyre.
Ndërkohë, sytë e tifozëve shqiptarë janë tashmë nga Asani, i cili mund të hapë një faqe të re në karrierën e tij në një nga ligat më të organizuara të Azisë.

