Shqipëria po përjeton një rritje të konsiderueshme të çmimeve, duke u afruar gjithnjë e më shumë me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat më të fundit të publikuara sot nga Eurostat tregojnë se në vitin 2024, niveli i çmimeve në vend ishte 62.9% e mesatares së BE-së, nga 58.2% në vitin 2023 dhe 54.6% në 2022.
Brenda dy vitesh, hendeku mes Shqipërisë dhe BE-së është ngushtuar me 8.3 pikë përqindjeje, një ritëm më i lartë se ai i vendeve të tjera të rajonit.
Shqipëria kryeson në rajon për nivelin e çmimeve
Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e para ndër vendet e Ballkanit për nivelin më të lartë të çmimeve në raport me BE-në.
Në vitin 2024, renditja rajonale është si më poshtë:
- Shqipëria – 62.9%
- Serbia – 61.4%
- Bosnjë-Hercegovina – 59.7%
- Mali i Zi – 57.9%
- Maqedonia e Veriut – 49.6%
Në vitin 2022, Serbia kishte nivelin më të lartë në rajon, por Shqipëria e ka kaluar tashmë, duke u afruar me vende si Kroacia (73.3%).
Mbiçmimi i lekut dhe ndikimi në çmime
Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë zhvillim është forcimi i monedhës vendase, me lekun që është mbiçmuar me rreth 15% ndaj euros. Kjo ka bërë që, kur çmimet përllogariten në euro, ato të duken më të larta në mënyrë relative.
Rënie e inflacionit, por jo e kostove reale
Pavarësisht se inflacioni ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2023–2024, ai ka qëndruar mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në kategori si ushqimet dhe shërbimet e përditshme.
Rritja e pagave nuk ka arritur të ndjekë të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve, duke sjellë një përkeqësim të fuqisë blerëse dhe rritje të kostos së jetesës për shumë familje.
Shqipëria ende më e lirë se BE, por me ritëm afrimi të shpejtë
Megjithatë, Shqipëria mbetet ende një nga vendet me çmime më të ulëta se mesatarja europiane – rreth 37% më pak. Por ky avantazh po tkurret me shpejtësi, gjë që mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e vendit, veçanërisht në turizëm dhe sektorët që kanë përfituar nga kostoja e ulët e jetesës.
Sipas Eurostat, niveli i çmimeve matet përmes treguesit AIC (Actual Individual Consumption), që përfshin mallrat dhe shërbimet që konsumojnë realisht familjet, të korrigjuara sipas fuqisë blerëse në çdo vend.
Nevoja për produktivitet
Në kushtet kur Shqipëria po afrohet me çmimet e vendeve të BE-së, ekspertët theksojnë se rritja e produktivitetit të punës dhe rritja reale e të ardhurave janë të domosdoshme për të ruajtur balancën ekonomike dhe për të përmbushur objektivin e konvergjencës me BE-në.

