Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një ndërhyrje ushtarake të mundshme ndaj Iranit, por ende nuk ka dhënë dritën jeshile për ekzekutimin e tyre, raportojnë burime të “Bloomberg” dhe “Wall Street Journal”.
Sipas këtyre mediave, Trump është takuar mbrëmjen e së mërkurës me komandantët më të lartë ushtarakë në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, ku janë shqyrtuar me hollësi skenarët për një ofensivë të mundshme, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit iraniane me raketa, përfshirë goditjen e spitalit “Soroka” në Beer Sheva, Izrael.
Një nga alternativat kryesore që po diskutohet, sipas “Wall Street Journal”, është përdorimi i avionëve bombardues B-2 – të padukshëm nga radarët – për të lëshuar bomba bunkerësh prej 30,000 paundësh mbi objektet më të fortifikuara bërthamore të Iranit, siç është impianti i pasurimit të uraniumit në Fordow.
Administrata Trump, së bashku me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare, po vlerëson një sërë opsionesh të mundshme për reagim në ditët në vijim. Një zyrtar i paidentifikuar cituar nga mediat amerikane konfirmoi se planet janë të gatshme dhe në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa presidenti po pret të vlerësojë lëvizjet e Iranit, veçanërisht lidhur me programin e tij bërthamor, përpara se të marrë vendimin përfundimtar për një ndërhyrje ushtarake.
“Mund ta bëj, mund të mos e bëj,” u shpreh vetë Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një goditjeje direkte.
Në të njëjtën linjë qëndrimi është edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili paralajmëroi se Irani do të “paguajë një çmim të lartë” për sulmet ndaj objektivave civile në Izrael, përfshirë edhe sulmin ndaj spitalit në jug të vendit.
Tensionet e fundit kanë shtuar ndjeshëm frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, në një moment tejet delikat për sigurinë rajonale dhe globale.

 
		 
		 
		 
		 
		
 
                                
                              
		 
		 
		 
		 
		 
		