Monedha europiane ka prekur një nivel të ri historikisht të ulët kundrejt Lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë të premten, Euro u këmbye me 97.88 lekë – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Sipas agjentëve të tregut valutor, rënia lidhet kryesisht me rritjen e ndjeshme të prurjeve valutore, veçanërisht ato që vijnë nga turizmi, që prej fillimit të qershorit. Kjo është një prirje e zakonshme për periudhën verore, ku fluksi i turistëve rrit ofertën për valutën e huaj, duke ushtruar presion mbi kursin e Euros.
Banka e Shqipërisë ndërhyri në fillim të javës së kaluar për të blerë Euro dhe stabilizuar tregun, por efekti ishte i përkohshëm. Ndërsa presionet mbi monedhën europiane u intensifikuan sërish në prag të fundjavës, duke çuar në rënie të mëtejshme.
Përveç ndikimit të turizmit, tendencën e mbiçmimit të Lekut e ndihmon edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë. Suficiti buxhetor për katërmujorin e parë arriti në 38 miliardë lekë, megjithëse me një rënie prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vitin 2024, Banka Qendrore ndërhyri fuqishëm në treg duke blerë rreth 933 milionë euro, një shifër rekord. Nisur nga zhvillimet aktuale dhe inflacioni ende nën objektivin prej 3%, pritet që ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor të vazhdojnë me qëllim mbështetjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit.