Serbi-Shqipëri, zbulohet ku do të luhet sfida e kthimit

2 Min Lexim

Përballja e kthimit mes Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 do të zhvillohet në Beograd, në stadiumin “Rajko Mitić”, dhe jo në Leskovac, siç ishte përfolur më herët me qëllim për të shmangur tensionet e derbit ballkanas. Vendimi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Serbisë përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Sipas federatës, pas një analize të thelluar që përfshiu aspekte sportive, organizative dhe të sigurisë, si dhe pas konsultimeve me UEFA-n, u vendos që stadiumi më i madh në vend, “Rajko Mitić”, ofron kushtet më të mira për zhvillimin e ndeshjeve të rëndësishme si ajo ndaj Anglisë më 9 shtator dhe Shqipërisë më 11 tetor.

Ndërkohë, ndeshja e fundit në grup për Serbinë, ajo ndaj Letonisë më 16 nëntor, do të luhet në stadiumin “Dubočica” në Leskovac, ku trajneri Stojkoviq dhe skuadra ndihen më komodë.

Kujtojmë që përballja Serbi-Shqipëri mbart një histori të trazuar. Ndeshja e fundit e zhvilluar në tokë serbe më 14 tetor 2014, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, u ndërpre pas trazirave në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Ngjarja kulmoi me hyrjen e një droni që mbante flamurin me simbole patriotike shqiptare, duke nxitur tensione të mëdha mes tifozëve dhe ndërprerjen përfundimtare të takimit.

Në deklaratën e fundit, Federata Serbe ka kërkuar mbështetje të madhe për kombëtaren:

“Ju ftojmë të mbushni tribunat e stadiumit tonë më të madh dhe të ndihmoni ‘Shqiponjat’ në ndeshjet kyçe drejt kualifikimit për Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada në vitin 2026. Shpresojmë që pas ndeshjes me Letoninë të kemi shumë arsye për të festuar.”

Serbia ka zhvilluar tashmë dy ndeshje në këtë fushatë kualifikuese, duke marrë katër pikë: një barazim 0-0 ndaj Shqipërisë në Tiranë dhe një fitore 3-0 kundër Andorrës në Leskovac.

Shpërndaj këtë artikull