Presidentja Osmani cakton datën, Kosova mban zgjedhjet lokale më 12 tetor!

2 Min Lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Presidencës përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se vendimi është marrë pas shqyrtimit të propozimeve të subjekteve politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

Sipas Presidencës, vendosja e kësaj date synon të sigurojë kohë të mjaftueshme për përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera përgjegjëse, duke garantuar zbatim të standardeve të larta të administrimit zgjedhor.

Osmani u ka bërë thirrje partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të përfshirë që t’i qasen procesit me përgjegjësi të plotë për të siguruar një proces gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.

Caktimi i datës vjen pas konsultimeve të mbajtura më 4 qershor mes Presidentes dhe përfaqësuesve të partive politike, ku ishin diskutuar datat 5, 12 dhe 19 tetor. Në takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë u mbajtën në tetor 2021, ku Lidhja Demokratike e Kosovës doli fituese në shumicën e komunave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Vendimi për datën e re të zgjedhjeve lokale vjen në një kohë krizash politike, pasi pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, duke penguar krijimin e institucioneve të reja.

Pas takimit me Presidenten, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në të njëjtën ditë me ato lokale, ide e përkrahur edhe nga PDK.

Megjithatë, për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duhet më parë të konstituohet Kuvendi dhe, përmes një marrëveshjeje politike, ai të shpërndahet.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente