Vserlo ka ngritur akuza të forta ndaj disa kolegëve të tij në industrinë muzikore, duke i akuzuar për manipulim të shifrave të klikimeve në YouTube. Në një seri postimesh në Instagram, ai ka përmendur konkretisht Gjestin dhe Eglin, duke vënë në dyshim suksesin e tyre të raportuar në platformat online.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Vserlo ka krahasuar shifrat e këngës “Veshu Ndreq” të Gjestit me ato të artisteve ndërkombëtare Ava Max dhe Miley Cyrus. Ai shprehet:
“Ava Max, 6.7 milionë subscribers – 500 mijë klikime për 2 ditë. Miley Cyrus, 19.7 milionë – 5 milionë për 2 muaj. Dhe vjen një Gjest me 100 mijë subscribers të blerë dhe kap 1.5 milionë në një ditë? Hahahaha. Deluzioni e ka një limit!”
Më tej, artisti nuk kurseu as publikun, duke i quajtur “dele që ndjekin famën imagjinare”, ndërsa u shpreh i lodhur nga profilet false që e “tagojnë çdo ditë”.
Vserlo komentoi gjithashtu edhe këngën e re të Eglit, “Jetë”, duke shkruar me ironi:
“Ja dhe kjo. Besoj nesër shkon 20 milionë pa frikë! Uria i paska kafshatat të mëdha.”
Në përfundim të reagimit, këngëtari bëri të ditur se do të publikojë një projekt të ri muzikor, pa ndjekur “strategjitë për klikime”, siç i quajti ai:
“Do ta publikoj në orën 3 të mëngjesit. Kush do të dëgjojë muzikë të mirë, e gjen kohën. S’kam pse zvarritem për të kapur orare të përshtatshme. Të bësh art është një art më vete. Dështakë!”
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim publik nga Gjest apo Egla në lidhje me akuzat e Vserlos, por postimet e tij kanë ndezur debat në rrjete sociale, ku ndjekësit janë ndarë mes mbështetjes dhe kritikave ndaj artistit.



