Një ngjarje historike për futbollin e të rinjve shqiptarë! Barça Camp Albania 2025 u çel zyrtarisht mbrëmjen e djeshme në ambientet e Qendrës Stërvitore Football Republic – Redi Jupi në Tiranë.
Ky kamp i licencuar nga vetë FC Barcelona, sjell në Shqipëri për herë të parë metodologjinë dhe filozofinë e famshme të Barça Academy, duke e kthyer Tiranën në një pikë referimi për talentet e reja të futbollit shqiptar.
30 fëmijë të moshave 6–16 vjeç janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë kamp elitar, ku do të trajnohen nga trajnerë zyrtarë të licencuar sipas standardeve të Barcelonës, duke përfituar një përvojë unike si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë edukativ e motivues.
Të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë zyrtare të vlefshme ndërkombëtarisht, që konfirmon pjesëmarrjen në kampin e organizuar nën emrin e një prej klubeve më të mëdha në botë.
Surpriza më e madhe? Lojtari më i spikatur i kampit do të ketë mundësinë të udhëtojë drejt Barcelonës, për të ndjekur për disa ditë radhazi stërvitjet në zemrën e La Masia – akademia që ka formuar legjenda si Messi, Iniesta e Xavi.


