Tiranë/Vodhën kasafortën me 15 mijë euro në një banesë, vihen në pranga dy autorët

1 Min Lexim

Dy persona janë vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se janë përfshirë në një vjedhje të ndodhur më 2 qershor në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ku u mor një kasafortë që përmbante 15 000 euro.

Në pranga përfunduan shtetasit A. Xh., 40 vjeç, dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë dhe me të kaluar kriminale për vjedhje. Ajo që e bën rastin edhe më të rëndë, është se njëri prej tyre, A. Xh., ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale, në momentin kur dyshohet se mori pjesë në grabitje.

Gjatë operacionit është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se u përdor për të kryer krimin. Hetimet nisën pas kallëzimit të banorit të dëmtuar dhe materialet janë referuar tashmë në Prokurori për vijimin e procedurave ligjore.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente