Goditje e fortë në Fier: Policia zbërthen grupin që trafikonte armë dhe kanabis në gjithë Shqipërinë

2 Min Lexim

Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Procedimi”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në trafik armësh dhe kultivim të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit dhe u bazua në një procedim penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga katër shtetas:

  • Boran Buzi, 48 vjeç, banues në Kallm të Fierit, i dënuar më parë në Itali me 30 vite burg për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Armëmbajtje pa leje”;
  • Niko Osma, 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal për armëmbajtje pa leje;
  • Qamil Shurdhi, 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe armëve;
  • Besim Buzi, 33 vjeç, banues në Divjakë.

Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga Boran Buzi dhe Qamil Shurdhi. Anëtarët e tjerë kishin role të përcaktuara në sigurimin dhe shpërndarjen e armëve, si dhe në gjetjen e klientëve. Po ashtu, dyshohet se Boran Buzi organizonte dhe aktivitetin e kultivimit dhe shitjes së kanabisit.

Ky grup kriminal operonte në disa qytete të vendit si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, duke trafikuar armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm. Në disa raste, armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në tetë banesa, magazina dhe automjete, policia sekuestroi:

  • 5000 fara kanabisi;
  • 4000 fidanë kanabisi;
  • 3 armë zjarri automatike;
  • 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të llojeve të ndryshme;
  • 2 radio si të Policisë;
  • 2 uniforma policie;
  • 1 maskë plastike me paruke;
  • 3 automjete dhe 10 celularë.

Drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hita, theksoi se operacioni është pjesë e përpjekjeve të pandërprera për goditjen e grupeve të strukturuara kriminale. Hetimet dhe operacioni vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente