Terapistja dhe influencuesja e njohur në rrjetet sociale, Belina Pupa, është vënë nën hetim nga autoritetet australiane, pasi ndaj saj rëndojnë akuza për kultivim të bimëve narkotike dhe ndërhyrje të paautorizuar në sistemin elektrik.
Sipas dokumenteve zyrtare të gjykatës, Pupa akuzohet për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në zonën Ascot Park, gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025. Ajo është paraqitur për herë të parë para Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide, ndërkohë që ende nuk ka dhënë një deklaratë të qartë lidhur me fajësinë apo pafajësinë.
Në një prononcim për Dritare TV, Pupa reagoi duke theksuar se nuk mund të flasë për detajet e çështjes për shkak të hetimeve që janë në vijim:
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë, por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar!”
Autoritetet australiane nuk kanë bërë ende publike detaje të mëtejshme për hetimin apo për persona të tjerë të përfshirë në rast.


 
		 
		 
		 
		 
		 
                                
                              
		 
		 
		 
		 
		 
		