Në një intervistë për Newsbomb, Sara Hoxha – vajza e themeluesit të Top Channel, Dritan Hoxha – ka ndarë një rrëfim të sinqertë për rrugëtimin e saj në median shqiptare. Ajo thotë se fillimisht nuk e kishte një ëndërr për këtë drejtim, por e nisi për të ndihmuar familjen dhe për të mbrojtur me përkushtim trashëgiminë e babait.
“Fillimisht doja vetëm të isha pranë Lorit dhe të ruaja atë që babai kishte ndërtuar,” thotë ajo, duke shtuar se përgjegjësia që ndiente u kthye me kohë në pasion dhe më pas në një vizion të qartë.
Sot, në moshën 29-vjeçare, Sara është një nga figurat kryesore në Top Media, producente e Big Brother VIP Albania dhe një mbështetje e palëkundur për motrën e saj, CEO-n Lori Hoxha.
Duke folur për sezonin e katërt të BBVA, ajo theksoi se programi nuk ishte vetëm spektakël, por edhe një pasqyrim i realitetit shqiptar, ku u trajtuan tema të ndjeshme si abuzimi seksual apo përvoja të dhimbshme të jetës.
Ajo u shpreh krenare për krijimin e një hapësire ku këto histori dëgjohen me respekt dhe pa paragjykime, duke theksuar se kjo është një përgjegjësi e madhe për të si producente.
Në intervistë, Sara nuk la pa përmendur edhe partnerin e saj, Ledion Liço, për të cilin u shpreh: “Nuk ka dy si Ledioni. E them si dikush që ka kaluar 11 vjet pranë tij.”
Por mbi të gjitha, ajo ndau dhimbjen që vijon të ndiejë për mungesën e të atit, Dritan Hoxha. “Asgjë nuk mund të zëvendësojë përqafimin e tij,” tha ajo, ndërsa shtoi se lutja e saj e përditshme është që fëmijët e saj ta njohin dhimbjen sa më vonë.