Vrasja e brutale e influencueses meksikane, Valeria Márquez, më 13 maj, gjatë një transmetimi live në TikTok nga salloni i saj i bukurisë në Zapopan, ka tronditur opinionin publik dhe rrjetet sociale në mbarë botën. Por hetimet po zbulojnë një tjetër të vërtetë shokuese: pas atentatit mund të fshihet një tradhti nga brenda.
Mediat argjentinase raportojnë se një video e re ka ngritur dyshime serioze ndaj shoqes së ngushtë të Valerias, e cila ndodhej me të në momentin e sulmit. Ajo po hetohet tashmë si e përfshirë në atentat, mes dyshimeve se ka ndihmuar autorët ose ka pasur dijeni për atë që do të ndodhte.
Valeria ishte vetëm 23 vjeç dhe një emër i njohur në rrjetet sociale. Vrasja e saj live u bë virale, duke sjellë tronditje globale. Por fakti që atentati mund të jetë lehtësuar nga një mikeshë e saj e afërt, e ka bërë këtë rast edhe më të rëndë për publikun.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht përfshirjen e saj, por komuniteti online dhe ndjekësit e Valerias kërkojnë drejtësi dhe transparencë të plotë. Nëse dyshimet vërtetohen, ngjarja do të konsiderohet si një nga aktet më të rënda të tradhtisë mes mikeshash në botën e influencuesve.

