Sali Berisha publikon dokumente që vërtetojnë dëbimin dhe dënimin e gjyqtares Irena Gjoka!

2 Min Lexim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një dokument të prokurorisë speciale, që sipas tij dëshmon se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka, është dënuar dhe dëbuar nga Greqia.

Gjatë një deklarate për mediat jashtë ambienteve të SPAK, në një tjetër paraqitje në kuadër të hetimeve politike ndaj tij, Berisha akuzoi Gjokën për mashtrim dhe fshehje të të dhënave, duke vënë në dukje se ajo ka mohuar publikisht dënimin dhe dëbimin, ndërkohë që ka marrë prokurë për të hequr këto masa.

Berisha tha se në formularët e dekriminalizimit dhe në proceset e vetingut, Gjoka ka deklaruar se nuk është dënuar asnjëherë dhe nuk ka marrë masa dëbimi nga ndonjë shtet tjetër, ndërsa dokumenti i publikuar tregon të kundërtën.

Sipas dokumenteve, Gjoka ka firmosur në mars 2013 një prokurë në Greqi, ku autorizon një përfaqësues ligjor të veprojë në emër të saj dhe të bashkëshortit për heqjen e masave ndaluese të vendosura ndaj tyre nga autoritetet greke. Berisha thekson se ky fakt vërteton dënimin dhe dëbimin e saj nga shteti grek, duke e cilësuar atë si mashtruese dhe subjekt të ligjit shqiptar.

Ai përfundon deklaratën me kritika ndaj procesit të vetingut dhe akuzon disa persona për fshehjen e këtij fakti.

ETIKETA:
Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente