Ndërsa ekonomia shqiptare po shënon rritje, varfëria e rëndë dhe përjashtimi social vazhdojnë të mbeten një plagë serioze për shoqërinë. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, Shqipëria renditet e para në Europë për përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik për të qenë e varfër, me 42% të qytetarëve që vuajnë nga një ose më shumë forma të privimit të rëndë social (të dhënat për Shqipërinë i përkasin vitit 2023, ndërsa për vendet e tjera europiane janë të vitit 2024).
Ky përqindje përkthehet në mbi 1 milion shqiptarë që jetojnë në kushte të privimit të thellë ekonomik dhe social. Sipas metodologjisë së Eurostat, këta individë dhe familje nuk mund të përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të domosdoshme për një jetë dinjitoze. Këtu përfshihen:
- Pamundësia për të paguar në kohë qeranë apo kredinë e banesës;
- Vështirësi për të përballuar shërbimet bazë (drita, ujë, ngrohje);
- Mungesa e mundësisë për të përballuar një shpenzim të papritur prej 30.000 lekësh;
- Pamundësia për të përballuar pushime njëjavore larg shtëpisë;
- Mungesa e një vakti me mish, peshk apo alternativë të pasur me proteina çdo dy ditë;
- Pamundësia për të mbajtur shtëpinë ngrohtë në dimër;
- Mungesa e një makine për përdorim personal dhe paaftësia për të zëvendësuar mobiliet e vjetra.
Në kontrast, vendet me përqindjet më të ulëta të popullsisë në rrezik përjashtimi janë Çekia, Sllovenia dhe Hollanda, ndërsa pas Shqipërisë, renditen Rumania dhe Turqia.
Edhe krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet me tregues dukshëm më të lartë. Mali i Zi ka 34.1%, Maqedonia e Veriut 32.6%, dhe Serbia 30% të popullsisë në rrezik varfërie.
Këto të dhëna përforcojnë nevojën urgjente për politika sociale më të forta dhe më të qëndrueshme, që të adresojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe shpërndarjen e drejtë të saj për të gjithë qytetarët.
Burimi Monitor

