Pas një performance energjike që ndezi skenën e Eurovision 2025, grupi Shkodra Elektronike ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të kompeticionit. Në një postim të shkurtër dhe të ndjerë, ata falënderuan publikun për mbështetjen e madhe:
“Donim të fitonim zemrat tuaja. Duket se ia dolëm. Apo jo? Faleminderit!”
Ky mesazh i thjeshtë, por emocional, reflekton jo vetëm mirënjohjen e grupit ndaj publikut, por edhe vetëbesimin se muzika e tyre preku shumë njerëz, brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.
Shqipëria, përfaqësuar nga Shkodra Elektronike, u rendit në vendin e 8-të në klasifikimin final, një nga rezultatet më të larta në historinë e saj në Eurovision. Performanca e grupit ishte ndër më të pëlqyerat nga publiku, duke u futur në Top 5 të televotimit, vetëm 4 pikë larg Austrisë, fitueses së këtij edicioni.
Megjithatë, rezultati përfundimtar u ndikua nga votimi i jurive të shteteve pjesëmarrëse, nga të cilat Shqipëria mori vetëm 45 pikë, çka e uli në renditjen finale.
Pavarësisht kësaj, Shkodra Elektronike u largua nga Eurovisioni me një sukses më të madh sesa pikët: zemrat e publikut dhe një jehonë që tejkalon çdo rezultat zyrtar.