Gjykata ka shpallur vendimin për Dan Hutrën, autorin e një prej ngjarjeve më tronditëse të dhunës në vend, ndodhur më 1 mars 2023 në Tiranë. Ai është dënuar me 3 burgime të përjetshme për vrasjen e Mevlute Sadikut, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit.
Përveç dënimeve me burgim të përjetshëm, Gjykata e dënoi Hutrën edhe me:
- 35 vite burg për tentativë vrasjeje ndaj Helena dhe Kujtime Hysës
- 30 vite burg për plagosjen e rëndë të Marjana Gurakuqit
- 15 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje
Sipas hetimeve, Hutra kreu brenda pak orësh një seri sulmesh të planifikuara ndaj disa grave me të cilat kishte pasur konflikte të mëparshme. Ai u arrestua në të njëjtën ditë dhe më pas u provua se kishte hartuar një plan të mirëorganizuar për vrasje.
Ngjarja tronditi opinionin publik dhe u cilësua si një nga aktet më të rënda të dhunës në vitet e fundit në Shqipëri.