Eurovision 2025/Ndryshon mënyra e shpalljes se shteteve që do të kualifikohen

2 Min Lexim

Eurovision 2025 pritet të ndryshojë mënyrën e shpalljes së finalistëve nga gjysmëfinalet

Një risi e madhe pritet në skenën e Eurovision 2025: mënyra se si shpallen vendet që kualifikohen nga gjysmëfinalet mund të ndryshojë rrënjësisht, duke shtuar më shumë emocion dhe pezullim për publikun.

Sipas dokumentarit të transmetuar nga televizioni zviceran SRF, me titull “Der Weg zum ESC 2025” (“Rruga drejt Eurovision 2025”), është zbuluar se prodhuesit po shqyrtojnë një format të ri ku vendet do të paraqiten në grupe me nga tre, dhe vetëm një prej tyre do të shpallet si finalist në fund – një stil i ngjashëm me formatin e spektakleve si X Factor.

Ky ndryshim pritet të testohet gjatë provës gjenerale të gjysmëfinales së parë më 12 maj, dhe nëse rezulton pozitiv, do të mund të përdoret zyrtarisht gjatë netëve gjysmëfinale.

Lajmi është konfirmuar indirekt edhe nga producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, Reto Peric dhe Moritz Stadler, të cilët, gjatë një interviste në The Euro Trip Podcast, deklaruan se synimi është që t’i shtohet “më shumë emocion dhe tension për publikun”, duke modernizuar përvojën televizive të Eurovision-it.

Kujtojmë se edhe në Eurovision 2023 u eksperimentua me formatin e shpalljes së finalistëve, kur të gjithë konkurrentët dolën së bashku në skenë për të marrë rezultatin, një stil që gjithashtu solli diskutime mes fansave.

Ende mbetet për t’u parë nëse ky format do të pranohet përfundimisht, por është e qartë se Eurovision 2025 po synon të sjellë ndryshime të ndjeshme në përvojën e spektatorëve.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente